Mbahet "Takimi i Vendlindjes-Priboci 2014" (foto)
Lokale

Mbahet "Takimi i Vendlindjes-Priboci 2014" (foto)

11.Aug.2014 16:53
0

Në vendin e quajtur “Te kisha”, të dielën (10 korrik), për të gjashtën herë me radhë është mbajtur Takimi i Vendlindjes në Priboc, në Malësinë e Bujanocit.

Automjete e traktorë të mbushur me banorë të ndjekur e të shpërngulur, në periudha të ndryshme kohore, të fshatit Priboc, të dielën kanë ngjallur fshatin duke iu bashkangjitur edhe dy familjeve që janë duke jetuar në këtë vendbanim: Hafiz Musliut e Hamdi Krasniqit.

“Ata kanë dalë në vendlindjen e tyre për t’i takuar bashkëfshatarët e vet, të afërmit, fqinjët e miqtë e dikurshëm, për të zhvilluar aktivitete kulturore e për të vallëzuar së bashku. Kanë dal për t’i vizituar shtëpitë pronat e tyre, varrezat e të parëve.  Dhe kjo ditë, vërtet të kujton ditët e dikurshme me plotë gjallëri, me shkollën plot nxënës, me dasmat  e zhvilluara në mënyrë tradicionale, ndeja e gëzime të tjera”, thuhet në reportazhin e përgatitur nga organizatorët e takimit.

Për shkak se Priboci shtrihet në pjesën e territorit  të cilën e administron Serbia dhe  për shkak të rrugës së pa asfaltuar  prej Muhoci  në Zarbicë, si gjithmonë edhe këtë vit janë paraqitur pengesa në qarkullimin e  lirë.

Në pikën kufitare në Muhoc, nuk lejohet të kalojnë autobusë dhe automjete me targa të Kosovës, derisa, pothuajse, shumica e banorëve që jetojnë në Kosovë, kanë automjete me targa të Kosovës, e një pjesë kanë edhe letërnjoftime po ashtu të Kosovës.

Mirëpo, banorët e fshatit duke qenë të vendosur të  vazhdojnë traditën e mbajtjes e  Takimeve të Vendlindjes, edhe pse policia kufitare e kthen prapa autobusin dhe automjetet  tjera me targa RKS, kanë gjetur forma tjera të transportimit nga Muhoci  deri në Priboc.

Ata me traktorë, automjete me targa të Bujanocit, me targa të shteteve të jashtme e në këmbë kanë arritur që të dalin në fshat e të mbajnë “Takimin e Vendlindjes –Priboci 2014”.

Livadhet e gjelbëruara,  pak më larg misëri i mbjellur nga familja e Hafiz Musliut, hijet e freskëta të pemëve  dhe drunjtëve, grumbujt  njerëzve që janë ulur nën hije për të pushuar nga rruga, përqafimet e  shtrëngimet  e duarve të bashkëfshatarëve tingujt e tupanit dhe zurnasë, vallet e burrave  e më pastaj vallet e vajzave, gjithsesi të kujtojnë fshatin e dikurshëm me banorë plot.

Pasi lodhen duke vallëzuar, Këshilli  i fshatit i thërret të gjithë banorët që të ulen e të bisedojnë për problemet e fshatit  e për mundësit e zgjidhjes  së tyre në të ardhmen.

Të gjithë si në sofrën e madhe, të ulur pranë  njëri tjetrit, fillojnë bisedën natyrshëm duke shfaqur idetë e tyre për shumë probleme e brenga që ka fshati.

Bisedën  i pari e fillon Hafiz Musliu, plaku plis bardhë i cili nuk e ka lëshuar vendlindjen për asnjë çast.

Pasi u uron mirëseardhje në fshat thotë se, “ne që jemi duke jetuar, jo vetëm në fshatin tonë, po ballafaqohemi me  mungesën e infrastrukturës, rrugore, me kujdesin shëndetësor, ngase po qese na sëmuret ndonjë anëtarë i familjes apo edhe ndonjë nga bagëtitë që i kemi, deri sa ta dërgojmë në Bujanoc apo në Gjilan e Kamenicë, mund të ndodhë edhe më e keqja”.

Po ashtu ai tregon se, këtë vit seksioni i pyjeve ka lejuar prerjen e malit të pronës shoqërore edhe nga tregtarët privatë.

Dhe këtë mundësi, njerëz të pandërgjegjshëm: tregtarë serbë si dhe ndonjë dorë “ndihmëtare” shqiptare për interesa personale, po e  dëmtojnë pyllin e fshatit tonë, e ndonjëherë duke mos e njohur terrenin mirë, po prenë dru edhe në pronat private.

“Mendojmë se ky dëmtim i kësaj pasurie të fshatit tonë, mund të jetë presion ndaj familjeve që janë duke jetuar  këtu në fshatin tonë , po edhe në fshatrat tjera të Malësisë së Bujanocit. Po ashtu ata janë të shqetësuar, është se disa lisa  të prerë  janë bartur edhe nëpër varre të  lagjes së Kekajve”.

Këtë e pohoi edhe Hamdi Krasniqi, i cili shtoi se është mirë të shikojmë mundësinë e ndërprerjes së këtyre rasteve, duke thënë që mundësisht, të angazhohet më shumë edhe Këshilli i fshatit në sensibilizimin e këtij problemi, pasi këtu janë  vetëm dy  familje.

Për problemet e fshatit folën edhe Ramadan Ramadani, Ismet Tafili, Shabi Sadiku, Mefail Sadiku, Xhavit Selmani,  Mefail Jonuzi, Baki Krasniqi etj.

Në këtë rast edhe disa bashkatdhetarë  kontribuuan edhe me mjete financiare për fondin e fshatit.

“Banorët nuk patën rast të dëgjojnë mendimet  dhe mundësitë që i ofron komuna, pasi nuk ishte prezent asnjë nga zyrtarët komunal”, thuhet në këtë njoftim.

Programi i manifestimit u plotësua edhe më tej me vazhdimin e programit kulturo artistik:  me valle,  lojë futbolli e lojëra tjera.

Po ashtu një kohë banorët e shfrytëzuan për vizita shtëpive dhe  varreve  të parëve anembanë fshatit.

Si duket banorët e fshatit Priboc nuk mund ta harrojnë aq lehtë fshatin e tyre dhe i tërheq diçka si magnet edhe për faktin se ky fshat është një vendbanim i vjetër Dardan.

Këtë e kanë pohuar ekipi i hulumtimit të Trashëgmisë Kulturore: Xhemaledin Salihu, Nehat Ramizi, Rexhep Kadriu, Musli Limani Argëtim Emini, Mustafë Ahmedi, Bardh Mehmeti e Nexhati Rrustemi, në ekspeditën hulumtuese që e kanë  bërë,  më  30. 10. 2013 në Priboc.

Posaçërisht, hulumtuesi kryesor dhe numizmologu Rexhep Kadriu  ka pohuar se ky vendbanim daton nga shek XII-IX para erës sonë.

Këtë mbetet ta vërtetojnë, në të ardhmen, gërmimet arkeologjike dhe profesionistë e kësaj fushe.

Një dëshmi tjetër e banimit të hershëm të këtij fshati është edhe guri mbivarrezor, i vetmi i ruajturi deri më tash, i datuar nga viti 1780 (1202 sipas Hixhrit) (besoj se ka pasur edhe të tjerë shumë më të hershem, I.T.) 

Priboc, Gjilan, 11. 08. 2014

Ismet Tafili /Titulli.com/

Në Banjë të Siarinës u mbajt manifestimi "Ditët e Diasporës" (foto)
Kontrolli policor në "Korridorin 10" në Luginë, në javë 5 milionë dinarë në buxhet të shtetit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration